Propaganda e tmerrshme e mediave serbe për rastin e të moshuarës në Pejë ka mbërritur edhe në Spanjë e Meksikë.
Edhe mediat atje, njëjtë sikurse ato në Serbi, këtë incident e ndërlidhin me tensionet ndër-etnike, duke e paraqitur nënën e dëshmorit të UÇK-së, viktimën e rastit si serbe.
“Ngjarjet, të cilat ndodhën në një shtëpi pleqsh në Kosovë, duket se janë të lidhura me racizmin midis komunitetit shqiptar (të cilit do t’i përkiste infermierja) dhe serb (prej nga vinte e moshuara)”, shkruan një nga mediat spanjolle.
“Një shqetësim që rihap plagë të rënda. Infermierja është shqiptare, e moshuara serbe dhe vendbanimi i saj është në Kosovë. Një territor që për Serbinë u përvetësua nga shqiptarët e Kosovës”, shkruan një media tjetër spanjolle.
Përveç dy të lartëpërmendurave, edhe një numër i madh i mediave tjera spanjolle e meksikane, viktimën e rastit në Pejë, Minire Nurën, që është nënë e një dëshmori të UÇK-së, e kanë paraqitur si serbe.
Krejt kjo propagandë ka nisur nga mediat në Serbi, e që më pas është shpërndarë edhe në shtete që kanë qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës.