Mehaj: Janë vënë nën kontroll të gjitha vatrat e zjarrit në territorin e vendit

Mehaj: Janë vënë nën kontroll të gjitha vatrat e zjarrit në territorin e vendit

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante kanë arritur që të vënë nën kontroll pothuajse të gjitha vatrat e zjarrit në territorin e vendit.

Përmes një njoftimi në Facebook, Mehaj ka thënë se njësitet e FSK-së do të vazhdojnë të bëjnë vëzhgimin e terrenit si dhe vlerësimin e situatës në vend.

“Gjatë ditëve në vijim, njësitet e FSK-së do të vazhdojnë të bëjnë vëzhgimin e terrenit si dhe vlerësimin e situatës në vendin tonë, me qëllim reagimin në kohë për shpëtimin e jetërave të njerëzve, pasurisë së qytetarëve dhe minimizimin e pasojave”, ka shkruar ai.

Mehaj ka dhënë edhe disa këshilla se si të ruhet ambienti nga zjarret.

“Mos digjni barin, bimësitë e ulëta dhe plehrat në ambiente të hapura, në mjedise urbane apo në sipërfaqet e punueshme në afërsi të pyllit. Mos ndizni skarën në mjedis të hapur, në afërsi të pyllit ose në afërsi të barit dhe degëve të thata. Shmangni punimet në vende të hapura, pasi ato mund të shkaktojnë zjarr. Mos hedhni mbeturinat në pyll ose në afërsi të pyllit sepse ekziston mundësia e vetëndezjes. Mos pini duhan gjatë korrjes së të mbjellave. Respektoni shenjat e ndalimit të hyrjes në fushat me rrezik të lartë nga zjarri. Denonconi keqbërësit te autoritetet përgjegjëse”, tha ai.

Related Articles