Mehaj kërkon sërish anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE

Mehaj kërkon sërish anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar sërish pranimin e Kosovës në NATO.

Mehaj ka thënë se është koha ajo që nuk pret, prandaj Kosova duhet të anëtarësohet në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, ministri ka deklaruar se Serbia edhe me qëndrimin e fundit pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën tregoi përcaktimin e qartë pro-rus.

“Qëndrimi zyrtar i Serbisë nuk ishte befasi për askënd nga Bota demokratike perëndimore duke pasur parasysh, se Serbia ka qenë dhe është aleatë i denjë i Rusisë dhe Presidentit Putin.

Një keqardhje hipokrite dhe qëndrim kontradiktor për agresionin rus në Ukrainë është një demonstrim i qartë se pse tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së”, ka pohuar ai.

Ndryshe, Mehaj ka thënë se SHBA dhe BE duhet të dënojnë qëndrimin e Serbisë për agresionin e Rusisë në Ukrainë.

“Republika e Kosovës, institucionet dhe populli i saj kërkojnë nga SHBA, BE, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe gjitha vendet e rreshtuara kundër agresionit rus ndaj Ukrainës që të dënojnë qëndrimin mashtrues dhe kontradiktor të Serbisë”.

“Rusia përmes Serbisë, sikur në vazhdimësi edhe në të ardhmen do të vazhdoj, aktivitetet destruktive për cenimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit dhe më gjerë”, pohon ai.

Mehaj ka pohuar se Kosova ishte dhe është e vendosur fuqishëm në anën e duhur, për dallim nga Serbia që vazhdon në anën e gabuar të historisë.

“Prandaj, mos hezitoni! Është koha sot, që nuk pret nesër, për vendimin tuaj të duhur! Kosova në NATO! Kosova në BE”, thotë ai.

Ministri Mehaj edhe ditën e diel ka thënë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. /Gazeta Enigma/.

Related Articles