Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se që nga viti 1999 deminerët e FSK-së në bashkëpunim me ekipet e KFOR-it dhe organizatat e tjera të involvuara kanë pastruar mbi 60 milionë metra katror tokë, duke bërë largimin e mbi 95,000 minave dhe mjeteve të tjera eksplozive të pashpërthyera.
Ai ka thënë se në shënimin e Ditës Botërore të Mjedisit, duhet theksuar faktin se me përkushtimin e deminerëve tanë të guximshëm dhe falë punës së tyre janë shpëtuar shumë jetë njerëzish.
“Këto rezultate janë indikator i punës së shkëlqyer të kryer nga ekipet e FSK-së të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit dhe organizatat tjera deminuese, falë punës së tyre janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe njëkohësisht është kthyer një numër i madh i tokave për shfrytëzim nga komunitetet”, ka shkruar Mehaj.
Sipas tij, çdo minë e pastruar do të thotë një jetë e shpëtuar.
“Çdo minë e pastruar na sjell një hap më afër në ndërtimin e kushteve për paqe afatgjate dhe produktive, andaj ne mbetemi të përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve për të vazhduar pastrimin e të gjitha zonave të afektuara nga minat dhe mjetet e tjera eksplozive, ngase investimi në veprimin ndaj minave do të thotë investim në jetën njerëzore dhe të ardhmen e sigurt të vendit”, ka shkruar ministri Mehaj.