Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka vizituar sot Akademinë Ushtarake Tokësore në Turqi, ku përveç kuadrove të forcave turke, qe disa vite, studiojnë edhe kuadrot e oficerëve dhe nënoficerëve të FSK-së.
Mehaj ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite ai është pritur nga komandanti i Akademisë Ushtarake Tokësore turke, gjeneral Gultekin Yarali, nga i cili është njoftuar për historikun, misionin, strukturën, kushtet dhe ambientet e studimeve dhe stërvitjeve, si dhe plan-programin mësimor teorik dhe praktik.
“Më pas u takova edhe me kadetë-studentët tanë që vijojnë studimet aktualisht në këtë akademi. Djemtë dhe vajzat tona, edhe në këtë qendër akademike ushtarake, janë ambasadorët tanë, të cilët me sukseset e tyre na bëjnë krenar gjithmonë”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.