“Mendova që t’ka mbetë ndonjë grimë UÇK”, Berisha kapet me Maqedoncin për takimin e ministrit me Dejona Mihalin

“Mendova që t’ka mbetë ndonjë grimë UÇK”, Berisha kapet me Maqedoncin për takimin e ministrit me Dejona Mihalin

Kryetari i Komisionit parlamentar për Siguri, Bekë Berisha, u përplas me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjatë raportimit të këtij të fundit, në lidhje me një takim që ai kishte pasur në tetor të vitit të kaluar me Dejona Mihalin, koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas pyetjes që ia bëri Berisha, Maqedonci tha se takimi kishte ndodhur rastësisht.

“Sa i përket takimit me Dejona Mihalin – ishte një prej pyetjeve. Unë, po, zakonisht gjatë vikendeve bëj ecje në Gërmi dhe kam pasur takim të rastësishëm me Dejonën. Kemi pi kafe së bashku, që s’besoj se është ndonjë gjë e veçantë. Dhe nuk ka qenë drejtori i AKI-së prezent, e kam thënë publikisht. Ka qenë një dajë i imi dhe një shok i ngushtë”, tha Maqedonci.

“Nuk është rastësi… Ka shumë rëndësi mos me u taku me të. Këtë merre si vërejtje”, tha ndër tjerash Berisha.

Ministri reagoi edhe një herë.

“Ne realizojmë takime edhe me shumë njerëz të tjerë. Dhe nuk realizoj takime për t’i raportuar askujt. Unë i raportoj Komisionit parlamentar. Së pari i raportoj kryeministrit të vendit. Normalisht, nuk konsideroj që është e ndaluar – pavarësiusht pozitës – të takohem me njerëz të cilët jetojnë në këtë vend, funksionojnë në këtë vend”, tha Maqedonci.

Duke ia kujtuar se ka qenë komanant i UÇK-së, Berisha, gjithashtu ish-pjesëtar i UÇK-së, i tha ministrit “mos u bëj kësi”.

“Ministër, unë kam mendu që ty të ka mbetë ndonjë grimë UÇK. E në këtë aspekt të thashë. Mos e harro. Mos u bëj kësi, s’ke nevojë. Mbaje pak…”, i tha deputeti.

“Po besoj që Dejona për UÇK-në flet më shumë se vetë…”, reagoi sërish ministri, të cilin kryetari i komisionit e ndërpreu.

“Mos hyn më thellë bre. S’ke nevojë me e përmend më hiç”, i tha Berisha.

Related Articles