Mendy shpallet i pafajshëm për gjashtë akuza për përdhunim

Mendy shpallet i pafajshëm për gjashtë akuza për përdhunim

Futbollisti i Manchester Cityt, Benjamin Mendy, është shpallur i pafajshëm për gjashtë akuza për përdhunim dhe një akuzë tjetër për sulm seksual. Anëtarët e jurisë nuk mund të merrnin vendime për një akuzë për përdhunim dhe një për përdhunim në tentativë, pas një gjyqi gjashtëmujor në Gjykatën e Chester Crown. Prokuroria kërkoi një rigjykim për këto akuza dhe ai është caktuar për 26 qershor.

Louis Saha Matturie, 41 vjeç, u shpall gjithashtu i pafajshëm për tri akuza për përdhunim. As ndaj tij, juria nuk arriti të merrte vendime për tri akuza për përdhunim dhe tre akuza për sulm seksual. Mendy dhe shoku i tij Matturie ishin akuzuar për përdhunim e femrave në shtëpinë e lojtarit në Prestburyt, Cheshire dhe në një apartament në qytetin e Manchesterit. Prokurorët i thanë jurisë se Mendy ishte një “grabitqar” që e ktheu ndjekjen e grave për seks në lojë.

Por jurisë iu tha gjithashtu nga avokatët mbrojtës se ndërsa gjyqi, që përfshinte para, seks dhe personazh të famshëm, kishte “të gjitha gjërat për një dramë të mirë”, ai erdhi me një “përmbysje të komplotit” të rëndësishëm – se të akuzuarit ishin të pafajshëm.

Mendy e mbuloi fytyrën me të dyja duart, ndërsa përgjegjësi i jurisë përsëriti fjalën “i pafajshëm” për gjashtë akuzat, të cilat kishin të bënin me katër vajza të reja ose adoleshente. Vendimet unanime u dhanë të mërkurën nga shtatë meshkuj dhe katër femra në juri, një anëtar jurie ishte shkarkuar më herët për arsye mjekësore.

Vendimet nuk mund të raportoheshin derisa anëtarët e jurisë të përfundonin gjithçka duke marrë parasysh dy pikat e mbetura, pasi atyre iu dha një drejtim i shumicës nga gjyqtari Steven Everett, që do të thotë se ai do të pranonte një shumicë votash 10-1 për çdo vendim.

Por pas 14 ditësh diskutimi, juria nuk mund të merrte vendime për tentativën e pretenduar të përdhunimit të një femre, 29-vjeçare, në vitin 2018 dhe përdhunimin e dyshuar të një femre tjetër, 24-vjeçare, në tetor të vitit 2020. Gjykatësi Everett shkarkoi jurinë të premten, duke i dhënë fund gjyqit.

Të dy meshkujt, Mendy dhe shoku i tij ishin në gjyq që nga data 10 gusht e vitit të kaluar, të akuzuar për vepra të shumta seksuale nga 13 gra. Matthew Conway, procedues, tha se prokuroria do të kërkonte një rigjykim për akuzat për të cilat juria nuk mund të merrte vendime.

“Prokuroria ka marrë një vendim. Ne kemi marrë një vendim sot, i cili do të procedojë për këto akuza në dy gjykime të veçanta dhe ne kërkojmë sot një menaxhim të përkohshëm të çështjes”, shtoi ai.

Po ashtu, të premten pati një reagim edhe nga skuadra e Manchester Cityt.

“Duke pasur parasysh se ka çështje të hapura në lidhje me këtë rast, klubi nuk është në gjendje të komentojë më tej në këtë moment”.

Akuzat dhe gjyqi kishin qenë “ferr absolut” për francezin Mendy, dëgjoi gjykata, me jetën e tij në futboll “të mbaruar” pasi ai “nuk do t’u shpëtonte kurrë” akuzave. Mendy 28-vjeçar iu bashkua Cityt nga Monaco në verën e vitit 2017 për 60 milionë euro dhe ka kontratë deri në qershor të këtij viti.

Mirëpo, ai është i suspenduar nga klubi anglez derisa të përfundojë gjyqi ndaj tij. Mendy ka bërë karrierë edhe tek Olympique Marseille e Le Havre, ndërsa ka edhe 10 paraqitje me Përfaqësuesen e Francës, raportoi BBC. 

Related Articles