Mërgata që nga pavarësia e Kosovës dërgoi mbi 12 miliardë euro

Mërgata që nga pavarësia e Kosovës dërgoi mbi 12 miliardë euro

Mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 12.6 miliardë euro.



Vlera më e madhe e remitencave është ajo e vitit 2020, ku pavarësisht pandemisë COVID-19 mërgata ka dërguar 1.18 miliard euro. Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është 18.5 për qind.

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro dhe 2020 – 1.8 miliard euro.

Banka Qendrore e Kosovës thotë se në vitin 2020 janë dërguar 128.5 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2019.

Vlera më e lartë brenda vitit 2020 e dërguar në drejtim të Kosovës ishte e muajit maj me 104 milionë euro, ndërsa më pak u dërguan në muajin prill, 61.7 milionë euro. Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.

Gjatë vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur mesatarisht 42.3 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 22.3 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6.4 për qind.

Për periudhën e katërt të vitit 2020, rritja e remitencave është për 26.3 për qind.

“Në kuadër të bilancit të pagesave, rritje tё konsiderueshme nё tremujorin e katërt të 2020 kanë shënuar edhe remitencat me 26.3 për qind”, thuhet në raportin

Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i katërt 2020

“Përkundër faktit se edhe vendet ku janë të koncentruar diaspora kosovare janë goditur shumë nga kriza e pandemisë, remitencat kanë shënuar përshpejtim të rritjes. Rritja e remitencave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020 kur shënuan rënie”, thotë BQK.

Sipas kanaleve të dërgimit, Banka Qendrore e Kosovës thotë se 672 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

“Pjesa dёrmuese e remitencave apo 61.5 pёr qind)kanё ardhur pёrmes agjencive pёr transfer tё mjeteve, tё cilat shёnuan rritje prej 54.4 pёr qind nё tremujorin e katërt të 2020-së. Remitencat pёrmes bankave shёnuan rritje prej 29.1 pёr qind, ndёrsa remitencat pёrmes ‘kanalit jo-formal’ shёnuan rёnie pёr 13.6 pёr qind”, thuhet në raportin makroekonomik.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

Related Articles