Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, do të bisedojë sot për herë të fundit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, një nga nismat më të rëndësishme të saj të politikës së jashtme.
“Pajtohuni!” – kjo ishte fjala e fundit e kancelares gjermane, Angela Merkel, në konferencën e shtypit të Samitit në Sofje, në nëntor 2020. Me këtë ajo iu drejtua dy organizatorëve të samitit të gjashtë të Procesit të Berlinit, kryeministrave të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev.
Megjithë atmosferën miqësore në samit, ata nuk kishin arritur të gjenin një zgjidhje për mosmarrëveshjen mbi interpretimin e historisë. Bllokada e Bullgarisë ndaj fillimit të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE është ende në fuqi.
Edhe në gushtin e vitit 2014, kur kancelarja gjermane ftoi për herë të parë në Berlin udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut (emërtimi i sotëm), Mali i Zi dhe Serbi) kishte shumë bllokada dhe rezerva ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.