Sot kam kënaqësinë t’i dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës ekspeditës së Kombëtares së Spanjës në krye me presidentin e Federatës Spanjolle, Luis Rubiales, i cili njëherësh është edhe zëvendëspresident i UEFA-s, thuhet mes tjerash në mesazhin e mirëseardhjes së kreut të FFK-së, për ekipin e Kombëtares së Spanjës.
Spanja është njëra prej ekipeve më të mira në Evropë dhe në botë dhe do të jetë e mirëpritur në Kosovë, ku ndër vite ka pasur shumë fansa në vendin tonë për lojën dhe karakterin e treguar në fushën e gjelbër. Ata do të ndihen të lirë dhe si në shtëpinë e tyre. Po ashtu, besoj se “Dardanët” e paktë që do ta ketë fatin ta shohin këtë ndeshje në stadium por edhe të gjithë ata të cilët do të jenë para ekraneve televizive do të kënaqen me lojën që do të shfaqet nga të dyja kombëtaret, u tha me tej ne mesazhin e kreut të FFK-së, Agim Ademi.
“Kërkoj opinionit që të kenë mirëkuptim për situatën pandemike dhe për numrin e vogël të shikuesve, pasi edhe këtë herë, në bazë të masave të qeverisë vetëm 10% e kapacitetit të stadiumit do të jetë i shfrytëzueshëm dhe duhet ta respektojmë në përpikëri protokollin e UEFA-s, ku janë të përfshirë të gjithë pjesëmarrësit e ndeshjes, ekspedita e ekipeve, stafi organizativ, zyrtarët dhe tifozët “Dardanët”, përkrahja e të cilëve si asnjëherë më shumë i duhet ‘Dardanëve’ tanë në fushë, në mënyrë që eventualisht ta shkruajmë historinë në ndeshje me Spanjën”, u tha me këtë rast.
FFK ka ftuar tifozët “Dardanët” për anim korrekt e të zjarrtë, pasi ata nesër duhet të jenë lojtari i 12-të i Koosvës, u tha në fund, duke i shprehur mirëseardhje të ngrohtë presidentin Rubiales dhe ekipin e tij, përfundoi mesazhi i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.