Deputeti gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, kërkon që përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, Zveçan, të dalin para drejtësisë.
Hacker deklaroi se për këtë çështje, një delegacion gjerman do të diskutojë me Aleksandar Vuçiqin në Beograd. Ai e konsideron të papranueshme që autorët e sulmit nuk janë përballur ende me drejtësinë dhe shprehet skeptik për deklaratat e Vuçiqit se nuk ka qenë në dijeni për operacionin.
“Fatmirësisht, sulmi në Banjska nuk pati pasoja më të rënda falë menaxhimit të mirë nga autoritetet kosovare. Pas ngjarjes, Vuçiq premtoi ndjekje të përgjegjësve, por njëri prej tyre u mbajt vetëm një natë në burg dhe u lirua. Serbia duhet ta hetojë rastin, edhe nëse përfshihen njerëz të afërt me partinë e Vuçiqit,” tha Hacker për Tëvë1, transmeton Gazeta Enigma.
Ai nënvizoi se është e vështirë të besohet që Vuçiq nuk ka pasur dijeni për sulmin, duke marrë parasysh kontrollin që ai ushtron në Serbi.
Hacker gjithashtu kërkon një qasje të re në dialogun Kosovë-Serbi, duke kritikuar mënyrën se si diplomati sllovak Miroslav Lajçak ka menaxhuar procesin deri tani./GazetaEnigma/