Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Kurti tha se përkrahja e BE-së për rindërtim dhe zhvillim e ka shndërruar Kosovën në një rrëfim suksesi dhe shprese, si prijëse në indeksin demokratik të Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi vullnetin dhe bindjen e fuqishme të popullit të Kosovës për të ardhmen evropiane dhe në BE dhe e njoftoi presidentin Michel për aplikimin për statusin e vendit kandidat, që planifikohet të bëhet deri në fund të vitit.
Duke e njohur rolin e rëndësishëm që ka presidenti Michel në koordinimin e konkluzioneve të samiteve të Këshillit Evropian, kryeministri shprehu shpresën për përkrahje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kurti konfirmoi përkushtimin për bashkëpunim rajonal që në themel e ka njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe që me mekanizmat e pavarur mund të jetë njëkohësisht hap drejt Tregut të Përbashkët brenda Bashkimit Evropian dhe në përputhje me anëtarësimin në BE.
Lidhur me dialogun me Serbinë në Bruksel, kryeministri Kurti theksoi qasjen konstruktive të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
Ndërsa, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe se zgjidhja e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është posaçërisht e rëndësishme.