Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se në kohën e Kryeprokurorit Aleksander Lumezi, 70 për qind të lëndëve për korrupsion u mbyllën dhe publiku nuk ka pasur qasje në to.
Miftaraj deklaroi se IKD-ja ka kërkuar vazhdimisht qasje në këto lëndë, por sipas tij, Lumezi asnjëherë nuk ia ka aprovuar. Madje, për një gjë të tillë IKD-ja pati përkrahjen edhe të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mirëpo kur kjo dispozitë shkoi në Kuvend vitin e kaluar, Miftaraj thotë se “u avullua”.
“Ne si IKD kemi bërë monitorim të vazhdueshëm. Kanë qenë mbi 4 mijë lëndë korrupsioni prej që ka qenë Lumezi si Kryeprokuror, prej tyre 70 për qind janë hedhur në fazën para-penale. Janë mbyllur dhe nuk kanë pasur qasje për publikun. IKD-ja vazhdimisht ka kërkuar që të ketë qasje nëse janë mbyllur këto raste ligjshëm, por Lumezi asnjëherë nuk na ka dhënë”
“IKD-ja ka kërkuar që të ketë kontroll në procese gjyqësore në këto raste. Ministrja Albulena Haxhiu na ka përkrahur për këtë pjesë, dhe në fillim kur u bë ministre vazhdoi me përkrahjen, por kur kontrolli gjyqësor shkoi në Kuvend, si dispozitë ‘u avullu’. Jam i zhgënjyer me ministren që kjo nuk shkoi në Qeveri”, potencoi Miftaraj.
E Miftaraj tutje tregoi se si Kryeprokurori Lumezi kishte themeluar një Komision të jashtëligjshëm prej tre personave, të cilët njoftoheshin nga prokurorët për çdo rast korrupsioni të profilit të lartë. Krejt kjo u bë, sipas drejtuesit të IKD-së, që Lumezi të ishte në dijeni për çdo gjë.
“Lumezi ka marrë një vendim, ka themeluar një Komision prej tre njerëzve që i ka caktuar vet, në zyrën e vet dhe në çdo rast korrupsioni të profilit të lartë, çdo prokuror apo polic që i vjen një rast i tillë, është dashur ta lajmërojë këtë Komision dhe pastaj ky Komision të bëjë analizë nëse duhet të fillojnë hetimet. Ky e ka pas qëllimin me ditë gjithçka për këto raste korrupsioni të mëdha. Fatkeqësisht, këtë vendim të jashtëligjshëm e kanë praktikuar të gjithë prokurorët”, shtoi ai. / Gazeta “Enigma”/