Sot në Luksemburg do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, ku në agjendën e tij është edhe takimi me kryediplomatët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në agjendën e Këshillit të Punëve të Jashtme të publikuar ditë më parë thuhet se kryediplomatët e vendeve evropiane takohen nga ora 08:30 dhe se takimi do të drejtohet nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, njofton Klankosova.tv.
“Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë agresionin rus kundër Ukrainës, pas një shkëmbimi jozyrtar të pikëpamjeve me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës ,Dmytro Kuleba, nëpërmjet videokonferencës”.
“Këshilli do të ketë më pas një diskutim mbi situatën në Lindjen e Mesme, në dritën e zhvillimeve të fundit”, thuhet në agjendën e KiE-së.
“Takimi do të vazhdojë me një shkëmbim mendimesh për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë”.