Ministrat mungojnë në Kuvend, Hoti: Kjo seancë është maskaradë e llojit të vet

Ministrat mungojnë në Kuvend, Hoti: Kjo seancë është maskaradë e llojit të vet

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e sotme të kuvendit e cila është paraparë për pyetje parlamentare ka pasur kritika në drejtim të ministrave, ku shumica prej tyre nuk ishin të pranishëm në seancë.

Hoti iu drejtua nënkryetares së kuvendit, Saranda Bogujevci, duke thënë se si po vazhdon seanca e sotme, është një lloj maskarade e llojit të vet.

“Unë dëshiroj të ju respektoj juve si kryesuese e seancës, por kështu si po vazhdoni seancën është një lloj maskarade e llojit të vet. As ministrat s’i ke, dy a tre ministra i ke dhe ju shkoni pyetje mas pyetje”.

“Praktika parlamentare nuk ka kuptim kështu. Nuk mund të zhvilloni seancën pro-forma, nëse s’i ke ministrat, e shtyn seancën, kërkon prej tyre me qenë në seancë, në kryesi është caktuar kjo seancë vetëm për pyetje parlamentare”, tha Hoti.

Tutje, Hoti tha se pyetjet e tij janë nga shkurti i këtij viti, teksa shtoi se është e pamundur të ketë transparencë dhe mbikëqyrje të qeverisë nga ana e opozitës në këtë formë.

“Pyetjet janë substanciale për mënyrën se si po shpenzohet buxheti i shtetit. Janë mbi 200 milionë euro që janë ndarë për ndërmarrjet publike poshtë  e lartë e edhe për një ndërmarrje publike që ka qenë e lidhur me projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, por që është anuluar ai projekt dhe ajo ndërmarrje vazhdon të paguhet”, tha Hoti.

Related Articles