Sot po mbahet Tryeza e Tretë e Sportit në bashkëorganizim të Ministrisë së Sportit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës. Qëllimi i kësja tryeze është që të koordinohen dhe bashkërendohen politikat dhe aktivitetet sportive në të gjithë sektorin e sportit. Pjesë e kësaj tryeze është edhe ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, por edhe kreu i FFK-së, Agim Ademi.
Hodaj: Komisioni i ka tejkaluar kompetencat
Temë qendrore pa dyshim është edhe procesi i licencimit të federatave. E në këtë pikë ka pasur edhe një debat, ku u.d.sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Taulant Hodaj, ka kritikuar Komisionin për Licencim për zhagitjen e procesit të licencimit të FFK-së, duke e përmendur si alternativë edhe dërgimin e këtij procesi në gjykata. “Në këtë proces po tejkalohen kompetencat me kërkesat e Komisionit dhe kjo po bëhet qëllimshëm”, tha ndër të tjera Hodaj.
Ministri: Nuk mund ta bllokojë askush futbollin
Ndërkaq, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se askush nuk mund ta ndalë futbollin, derisa ka qenë kritik edhe ndaj komisionit.
“Ne nuk mund ta interpretojmë Kodin Etik të FIFA-s dhe Komisioni nuk ka të drejtë të japë mendim. Kur na duhet një interpretim ne komunikojmë drejtpërdrejt me FIFA-n dhe UEFA-n. Pra, nuk ka mundësi dhe nuk ka kush që mund ta bllokojë futbollin”, ka thënë ministri. Ai ka thënë se nuk e sheh të nevojshme që kjo çështje të shkojë në gjykatë.
Çeku: Dështim edhe për mua nëse nuk licencohet futbolli
“Nuk besoj që do të shkoj në gjykatë kjo çështje sepse nuk jemi ne në betejë me futbollin por jemi bashkë. Do ta quaja dështim edhe për mua nëse nuk licencohet futbolli. FFK-ja do të licencohet dhe atë më së largu në fund të shkurtit, eventualisht në fillim të marsit”, ka shtuar ministri Çeku, duke qetësuar kësisoj komunitetin e futbollit e veçmas klubet, të cilat tash e disa javë janë të shqetësuara për shkak të pamundësisë për t’u pajisur me vërtetimin për të fituar nga Ligji i Sponsorizimit.