Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grliq Radman, ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në lidhje me raportimet në media se presidentit serb Aleksandar Vuçiq i është ndaluar nga qeveria kroate të vizitojë Jasenovac.
Sipas informacioneve jozyrtare, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përveç vizitës së mëparshme në Donja Gradina, do të vizitonte edhe zonën memoriale të Jasenovacit, në Pakrac, ndërkaq nuk dihet se cilat vende të tjera.
“Ne e konsiderojmë të papranueshme mungesën e një procedure diplomatike që paralajmëron ardhjen e një zyrtari të lartë. Ne i dorëzuam ambasadës serbe një notë të premten pasdite kur mësuam se pala serbe ende nuk e ka ndërmend të njoftojë autoritetet kroate për mbërritjen e tyre. Fakti që pala kroate nuk është informuar zyrtarisht për synimin e një vizite të mundshme në Republikën e Kroacisë është e papranueshme për ne”, tha Grliq Radman.
Ai tha se një vizitë e tillë, nuk kishte për qëllim nderimin e viktimave të luftës, por plotësim të nevojave të brendshme politike në Serbi.
“Dhe sigurisht ne e perceptojmë si qëllim të keq, duke pasur parasysh se kemi kuptuar se një vizitë e tillë nuk është e sinqertë, se nuk është një nderim për viktimat, por se është më shumë e motivuar nga fakti i plotësimit të nevojave të brendshme politike në Serbi, dhe para formimit të qeverisë serbe”, shtoi ai.
Radman tha se presidenti është person i mbrojtur dhe nuk mund të futet në territorin e shteti tjetër ashtu, pasi nevojitet edhe përfshirja e autoriteteve vendase për sigurimin e tij.
“Ky nuk është një udhëtim në det. Presidenti i shtetit është një person i mbrojtur. Kjo kërkon edhe përfshirjen e autoriteteve kroate. Kur kalojmë kufijtë, ne e shpallim atë në mënyrë diplomatike, që do të thotë duke dërguar një notë. Kjo nuk ndodhi këtu. Kufijtë nuk mund të kalohen ashtu. Nëse flasim për normalizimin e marrëdhënieve, për një dialog të sinqertë, atëherë duhet të bëheshin biseda të tilla që të bëhej një vizitë e tillë”, shtoi ai
I pyetur nëse e konsideron provokim politik të Serbisë, Grliq Radman është përgjigjur pozitivisht.
“Ne e konsiderojmë provokim pikërisht nga fakti se këtu viktimat janë mjet, jo qëllim. Qëllimi është të prezantohen përpjekjet e presidentit Vuçiq para opinionit serb dhe të fitohen pikë shtesë politike në kontekstin e formimit të qeverisë”, shpjegoi ai.