Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, e ka përmendur rastin e Kosovës për pavarësi, duke thënë se kjo e fundit nuk ka mbajtur referendum për pavarësi, siç ka bërë Rusia në rastin e Krimesë.
Ai tha se shtetet perëndimore nuk e pranuan aneksimin e Krimesë, ani se u bë me referendum “transparent”, por që Perëndimi “duartrokiti shkëputjen e Kosovës pa referendum”.
“Në vitin 2014, Krimea mbajti referendum të hapur, transparent me praninë e vëzhguesve të shumtë ndërkombëtarë dhe Perëndimi i hodhi poshtë ato rezultate, duke thënë se ishte shkelur parimi i integritetit territorial. Megjithatë, kur më parë Kosova u shkëput pa asnjë referendum, Perëndimi duartrokiti dhe në të njëjtën kohë e orkestruan atë shkëputje, duke thënë se në këtë mënyrë shqiptarët e Kosovës e realizuan parimin e vetëvendosjes së popullit. Pra, këtu nuk kemi iluzione se si do të vazhdojë të veprojë Perëndimi”, tha Lavrov për mediat ruse.
“Për ta përmendur faktin se pas ardhjes në pushtet të klikës naziste në shkurt të vitit 2014 dhe pasi thanë se do ta heqin statusin e gjuhës ruse kur dërguan bandat e armatosura për të sulmuar parlamentin e Krimesë – do të thotë se këta njerëz nuk mund ta përfaqësonin popullsinë e Krimesë dhe të Ukrainës juglindore, kështu që ligji ndërkombëtar këtu përshkruan shumë qartë se si duhet të interpretohet një situatë e caktuar. Perëndimi ndjek rregullat e veta”, deklaroi tutje ai.
Akterët politikë rusë jo rrallë herë kanë përmendur rastin e Kosovës për të arsyetuar aneksimin e Krimesë, si dhe rajoneve Donbas dhe Luhansk. Një gjë të tillë shpesh e ka bërë edhe presidenti rus Vladimir Putin. /Gazeta Enigma