Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se qeveria ka ndërmarrë pakon më të madhe mbështetëse në rajon krahasuar me Bruto Prodhimin Vendor përballë rritjes globale të kostos së jetesës, raporton Gazeta “Enigma”.
Këto deklarata Murati i ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Rritja e kostos së jetesës ka qenë njëra nga sfidat globale të cilës, njësoj sikurse të gjitha shtetet tjera, as Kosova nuk kishte se si t’i ikte”, tha ai.
“Për të gjitha qeveritë, nuk ka qenë në pyetje çështja se a do të ketë inflacion apo jo, por sa do të jetë mbrojtja që do ta ofrojë qeveria ashtu që ndikimi negativ i rritjes së çmimeve në nivel global, të jetë sa më i përballueshëm në nivel lokal”.
“Masat që kemi ndërmarrë si qeveri përbëjnë pakon më të madhe mbështetëse në rajon krahasuar me Bruto Prodhimin Vendor, gjë kjo e konfirmuar edhe nga raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare”. /Gazeta Enigma/