Ministri i ri i Shëndetësisë viziton qendrën e vaksinimit në Prishtinë

Ministri i ri i Shëndetësisë viziton qendrën e vaksinimit në Prishtinë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi qëndroi pasditen e së premtës në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë ku pa nga afër ecurinë e vaksinimit kundër COVID-19 dhe kundër gripit sezonal gjithashtu.



Ai shprehu një falënderim të madh për ekipin menaxhues dhe ekipet e vaksinimit për punën që po bëjnë, sikurse edhe për vullnetarët, ndërkohë që u tha se ndjehet i impresionuar me organizimin e procesit, të cilin e krahasoi për nga mbarëvajtja të ngjashëm me vaksinimin në shtetet më të zhvilluara.

“Ju falënderoj të gjithëve për punën që po bëni. Çdo vaksinë e dhënë është një jetë e shpëtuar dhe ju po shpëtoni shumë të tilla”, u tha ministri ekipeve të vaksinimit.

Gjatë qëndrimit në “1 Tetori” ministri pati rast të bashkëbisedojë edhe me qytetarë të grup-moshave të ndryshme që kishin ardhur për vaksinim, përfshirë këtu edhe fëmijë dhe shtetas të huaj, të cilët i përgëzoi për vendimin e drejtë për t’u vaksinuar, në këtë kohë kur pandemia nuk ka përfunduar ende dhe vaksinimi mbetet mundësia kryesor për mbrojtje nga virusi.

Latifi tha se krijimi i të gjitha mundësive për vaksinim, me vaksina të mjaftueshme dhe të sigurta, pa terminë dhe gjithashtu edhe përmes ekipeve mobile, duhet shfrytëzuar nga qytetarët, për të parandaluar situatë të vështira epidemiologjike dhe valë të rënda të pandemisë prej të cilave ka vuajtur shumë edhe Kosova.

“Profesionistët shëndetësor që kanë trajtuar të prekurit nga COVID-19, ata që luftojnë në parandalim dhe ekipet e vaksinimit, meritojnë çdo respekt dhe përkrahjen tonë”, u shpreh Latifi.

/Gazeta Enigma/

Related Articles