Ministri i Shëndetësisë tregon planin e Qeverisë për t’i zvogëluar listat e pritjes nëpër spitale

Ministri i Shëndetësisë tregon planin e Qeverisë për t’i zvogëluar listat e pritjes nëpër spitale


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e së enjtes së Kuvendit të Kosovës ka njoftuar lidhur me strategjinë e Qeverisë për ta zvogëluar listën e pritjes në spitale të vendit, raporton Gazeta “Enigma”.

“Nëse nuk kemi mirëqenie të mjekëve infermiereve të cilët po i trajtojmë si heronj, ne nuk mund të kemi sistem të mirë shëndetësor. Një nga strategjitë kryesorë është mirëqenia e tyre. Sa i përket transplantimit të indeve dhe organeve, kam qenë i informuar se ka një draft, por kjo nuk është paraparë në vitin e kaluar. Ne e kemi paraparë këtë dhe do të mundohemi që sa më shpejt ta sjellim këtë ligj këtu në Kuvend”, tha Latifi.

Ai theksoi edhe 5 hapat konkret që synohen të bëhen së shpejti.

“Sipas një studimi që është bërë ne kemi 10 mijë pacientë në pritje për shërbime të ndryshme pa shtuar numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë jashtë vendit. Ky numër është shqetësues. Për ta zvogëluar këtë pabarazi enorme, unë besoj se mund ta bëjmë nëpërmjet pesë elementeve: krijimi i qendrave ekselente, përgatitja profesionale e kuadrit të lartë dhe të mesëm shëndetësor, shtimi i kuadrove si ato të anestezionit dhe tjerat, nevojat e avancimeve teknologjike në të gjithë sistemin tonë dhe duhet forcuar kujdesi primar shëndetësor si një nga shtyllat më të rëndësishme”, ka deklaruar Latifi. / Gazeta Enigma.

Related Articles