Ministri i Shëndetësisë: Vetëm të vaksinuar do të mund t’i kthehemi plotësisht normalitetit

Ministri i Shëndetësisë: Vetëm të vaksinuar do të mund t’i kthehemi plotësisht normalitetit

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë të premtën se lufta kundër virusit COVID-19 nuk ka kaluar ende, shkruan Gazeta Enigma.

Gjatë ceremonisë së pranimit të kontingjentit me 515 mijë e 970 doza të vaksinës Pfizer, të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Latifi ka deklaruar se masat anti-COVID nuk duhet të lirohen njëherë.

“Për dhjetë (10) muaj prej fillimit të vaksinimit në Kosovë, janë dhënë 1.8 milionë, vaksina;   rreth 63% e popullatës tonë e moshës mbi 12 vjeçare kanë marrë nga një dozë të vaksinës kundër COVID-19 dhe 57% të dy dozat. Fillimi i dhënies së dozës së tretë është inkurajuese dhe duhet të shtohet edhe më shumë. E gjithë kjo punë e madhe është bërë falë përkrahjes dhe partneritetit me UNICEF-in, OBSH-në, SHBA-të dhe partnerët evropianë. Me gjithë këto rezultate, nuk guxojmë të lirohemi dhe të ndalemi në këtë proces, ngase lufta kundër COVID-19 nuk ka mbaruar ende”, ka thënë Latifi.

Nga kjo ceremoni ai u ka bërë thirrje qytetarëve mbi moshën 12 vjeçare që të vaksinohen.

Këtë thirrje ai e ka pasur edhe gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse.

“Prandaj, nga ky vend sot këtu, unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mohës mbi 12 vjeçare që të vaksinohen. Në veçanti u bëj thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Shtatzënat dhe nënat gji-dhënëse duhet të vaksinohen gjithashtu. Pa rezerva dhe pa hezitim. Vetëm kështu do t’ua shpaguajmë miqve tanë përkrahjen që na kanë dhënë në ditë të vështira, ndërsa punonjësve shëndetësor dhe gjithë atyre që kanë kontribuar  falënderimin për këmbënguljen dhe vetëmohimin  e tyre  në këtë luftë të pa kompromis”, tha më tutje ai./Gazeta Enigma/

Related Articles