Ministri Mehaj viziton krerët e UÇK-së

Ministri Mehaj viziton krerët e UÇK-së
Armend Mehaj, ministër i Mbrojtjes, ka vizituar ish krerët e UÇK-së në Hagë, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn, Pjetër Shalën, dhe Hysni Gucatin.

Kështu ka njoftuar vetë Mehaj, i cili ka shtuar se, të gjithë ata ishin me moral të lartë e të fortë, ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai ka thënë edhe se, ne besojmë pa asnjë hamdendësim në pafajsinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare.

Tutje, ai ka deklaruar se uron që të gjithë të lirohen sa më shpejt dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare.

Postimi i plotë:

FITORJA DO T’I TAKOJË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

Gjatë qëndrimit tim dy ditorë në Holandë, kam takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë.

Kam takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa kam biseduar shkurt edhe me, Hysni Gucatin i cili është duke u përballur me probleme shëndetësore.

Në takimet që kam realizuar me secilin, i kam njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për antarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë.

Të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajsinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë.

Uroj që të gjithë të lirohen sa më shpejt.

Ditët e së ardhmës së Republikës sonë qofshin sikur pikturat e Rexhës – sa të bukura aq përmbajtjesore.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare!

Related Articles