Udhëheqësit e ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe ata të ministrisë për Komunitete dhe Kthim, brenda gjashtë-shtatë muajve të parë të këtij viti, kanë shpenzuar në total 20 mijë e 218 euro.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci së bashku me dy zëvendësministrat Imri Demelezi dhe Lazar Raduloviq, nga janari deri në korrik shpenzuan në total 14 mijë e 773.61 euro.
Kurse ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq së bashku me dy zëvendësministrat Gazmend Salijeviq dhe Mevlud Sinani, nga janari deri në qershor kanë shpenzuar 5 mijë e 444.95 euro.
Sipas të dhënave që ka siguruar Telegrafi përmes qasjes në dokumente publike, ministri i Bujqësisë, Faton Peci për dallim nga dy zëvendësit e tij, për shtatë muaj shpenzoi 2 mijë e 327 euro vetëm për udhëtime zyrtare përfshirë këtu bileta dhe shpenzime të tjera. Kurse Demelezi dhe Raduloviq nuk shpenzuan asnjë cent, shkruan Telegrafi.
Për dreka zyrtare jashtë vendit dhe brenda vendit, vetëm ministri Peci shpenzoi 1 mijë e 548 euro, kurse zëvendësministri Lazar Raduloviq shpenzoi 374 euro. Në total për dreka zyrtare jashtë vendit u shpenzuan 321.41 euro kurse brenda vendit u shpenzuan 1,601.95 euro, shkruan Telegrafi.
Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për shtatë muaj shpenzuan 380 euro për telefon dhe 5 mijë e 425 euro për karburant. Vlen të theksohet se ministri Peci nuk ka shpenzuar asnjë cent për telefon, ndërkaq për karburant ai ka harxhuar 2 mijë e 718 euro, për shtatë muaj.
Sa i përket mëditjeve, dy zëvendësministrat e Bujqësisë nuk shpenzuan asnjë cent, ndërkaq ministri Faton Peci mori plot 2 mijë e 141 euro. Ngjashëm ka ndodhur edhe me akomodimet e ministrit në udhëtime zyrtare ku ka shpenzuar 2 mijë e 574 euro, kurse Demelezi dhe Raduloviq shpenzuan zero euro.
Në anën tjetër ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe zëvendësministri Mevlud Sinan, për dreka zyrtare shpenzuan 1 mijë e 365 euro nga janari deri në qershor.
Vetëm ministri Rashiq për dreka zyrtare shpenzoi 1 mijë e 115 euro.
Sipas të dhënave që ka siguruar Telegrafi, sa i përket shpenzimeve për akomodim u harxhuan vetëm 805 euro. Këto para i shpenzoi zëvendësministri Gazmend Salijeviq.
Për mëditje nga drejtuesit e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim nuk u shpenzua asnjë cent.
Shpenzimet për telefon nga Rashiq, Salijeviq dhe Sinani për gjashtë muaj u shpenzuan 693 euro, kurse për derivate 2 mijë e 580 euro.