Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka mohuar se ka draft final të Ligjit për pagat e zyrtarëve publikë, ku përfshihen pagat për presidentin, kryeministrin e deri te rekruti i FSK-së.
Sveçla ka shkruar se raportimet për rritje pagash me Ligjin e ri për zyrtarët e institucioneve s’janë të vërteta.
“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit”, ka shkruar ai.
“Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njejta përcaktohet me ligjin e buxhetit. Kjo valë e dezinformatave ka për qëllim krijimin e konfuzionit dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se këto pritje pastaj shumë lehtë mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive dhe ngritje të debateve të kota krahasuese”, shton tutje ministri.
Sveçla tregon se ministria që drejton do ta ndajë me publikun një draft final kurdo që ai finalizohet.
“Ju bëjmë me dije që ministria jonë do të ndajë draftin final me publikun në momentin kur i njejti të finalizohet”, ka thënë ai.