Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ftesë të kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, po qëndron në vizitë në Katar, për të marrë pjesë në Panairin “Milipol 2022”.
Në njoftimin e lëshuar nga MPB thuhet se Sveçla ka marrë pjesë në inaugurimin e Panairit “Milipol 2022”, ku është njoftuar për pajisjet e teknologjinë e fundit në fushën e sigurisë.
“Gjatë takimit me drejtorin e Sigurisë Publike, gjeneral major Saad bin Jassim Al Khulaifi, Sveçla ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit midis Policisë së Kosovës dhe të Katarit. Në këtë kuadër, është arritur pajtimi që dy palët të shkëmbejnë vizitat dhe të fuqizojnë bashkëpunim në çdo fushë, me theks të veçantë në sektorët që kanë të bëjnë me sigurinë publike”.
“Gjatë qëndrimit në Doha, Sveçla ka vizituar edhe Qendrën Komanduese Kombëtare (NCC), Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, Institutin e Policisë, Qendrën e Forcës së Sigurisë së Brendshme (Lekhwiya) dhe Qendrën e Mbrojtjes Civile”, thuhet në njoftim.
Në vizitën që e ka bërë ministri Sveçla në Forcën e Sigurisë së Brendshme (Lekhwiya) dhe në Qendrën e Mbrojtjes Civile, ai është njoftuar me mënyrë e funksionimit, detyrat e përgjegjësitë, si dhe me pajisjet e teknologjinë që përdorin. Gjithashtu, janë diskutuar edhe mundësitë e bashkëpunimit midis Kosovës e Katarit.