Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me raportimet për helmimin e pesë ushtarëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit nga Ministria thuhet se SHP i FSK-së ka marrë masat e duhura sipas procedurave standarde dhe se ushtarët e helmuar janë shëndosh e mirë.
“Me të marrë informacionin, SHP i FSK-së ka marrë masat e duhura sipas procedurave standarde operative dhe deri më tani kemi të konfirmuar se të gjithë pjesëtarët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, tani janë shëndosh e mirë dhe nuk ka asnjë arsye për shqetësim”.
“Gjithashtu, përmes mekanizmave tanë zyrtar mjekësor si dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), janë marrë mostrat e ushqimit dhe jemi duke pritur rezultatet e analizave që do të mundësojnë identifikimin e shkaktarëve të mundshëm, që kanë rezultuar me çrregullimin shëndetësor të pjesëtarëve tanë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, helmimin e ushtarëve të FSK-së e ka konfirmuar për Gazetën Enigma edhe Inspektori Sanitar, Shefki Beqiri.
“5 ushtarë kanë pas jashtëqitje, por nuk kanë dhimbje, mostrat e ushqimit i kemi marrë. Kemi marrë shenjat klinike të ushtarëve, masat i kemi marrë sot. Po presim rezulatet”, ka thënë ai. /Gazeta Enigma/.