Ministria e Mbrojtjes ka publikuar sot listën fillestare të kandidatëve për kadet në Qendrën për Studime Universitare në FSK, si dhe kandidatët që kanë aplikuar për studime në Akademinë Ushtarake në Turqi, Akademinë Ushtarake në Zagreb, në Maqedoni dhe atë të Gjermanisë.
Sipas një njoftimi për media, Bordi Përzgjedhës ka bërë shqyrtimin fillestar të të gjitha aplikacioneve të kandidatëve, në konkursin e shpallur me datë 31 maj, e që ka qenë i hapur deri më 11 qershor 2021.
“Bazuar në kriteret që janë të publikuara në konkurs, Bordi ka miratuar listën e kandidatëve që i plotësojnë kriteret për tu proceduar për testime”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në këtë njoftim, thuhet se kandidatët që janë proceduar me vërejtje, duhet të plotësojnë dosjen sipas shënimeve deri më datë 20 korrik 2021, përndryshe do të eliminohen nga procesi.
“Kandidatët të cilët janë eliminuar janë në listën e dytë, ndërsa arsyetimi gjendet në pjesën e vërejtjeve”, thuhet në fund të njoftimit.Kandidatët e pakënaqur kanë të drejtë ankese brenda afatit kohor prej dy ditëve, me datat 23 dhe 24 qershor, nga ora 09:00 deri në ora 15:00.
Ankesat mund të dorëzohen në Zyrën e Rekrutimit-G1SHPFSK, Kazerma “Adem Jashari” Prishtinë ose online në email adresën zyrtare: [email protected].