“Vaksinimi masiv”, në horizont, mungesë e vaksinave në tërë Kosovën

“Vaksinimi masiv”, në horizont, mungesë e vaksinave në tërë Kosovën


Ndonëse që nga 15 qershori në Kosovë ka filluar zbatimi i Planit për Vaksinimin Masiv, numri i personave që po vaksinohen në nivel vendi vazhdon të jetë tejet i vogël, krahasuar me vendet e rajonit, shkruan Gazeta “Enigma”. Deri më sot në Kosovë janë vaksinuar vetëm 7.9 %.


Teksa në shtetin fqinj, në Shqipëri ka nisur vaksinimi i grup moshës mbi 50 vjeç, në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar vetëm 6 mijë e 595 persona.



Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, theksohet se 20 mijë e 701 persona kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.

Ndërkaq, plani për vaksinimin masiv në Kosovë ka nisur në kohën kur kishin mbetur vetëm edhe 97 mijë e 933 vaksina kundër COVID-19, e në ditën e martë pritet të fillojë vaksinimi masiv në nivel vendi, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

“Vaksinimi masiv”, lojë e Qeverisë

Numrin e ulët të personave që po vaksinohen e ka kritikuar Blerim Syla nga Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë. Ai në një prononcim për Gazetën “Enigma” e ka cilësuar planin e Qeverisë së Kosovës, për vaksinim masiv si lojë.

Vaksinimi masiv është lojë, për të mos thënë se është mashtrim. Sepse ti japësh 500 vaksina në ditë, kjo është skandaloze. Nëse i marrim parametrat që i kemi deri më sot, janë vaksinuar vetëm 8 % të popullatës me dozën e parë, kurse me dozën e dytë 1.2 %, dhe nëse shkon me këtë ritëm duke pritur vetëm donacione do të na duhen edhe 2 vite”, ka thënë ai, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Sipas tij Qeveria duhet të siguroj vaksina sa më parë. “Qeveria duhet t’i thërras mendjes me qenë transparente dhe jo me bo trika kinse me aplikime sepse dihet si bëhet vaksinimi masiv, thirren ata të moshës 60-65, derisa shtetet tjera po mendojnë të vaksinojnë edhe fëmijët ne jemi ende larg asaj”, ka potencuar ai.

Gjilani po vaksinon vetëm nga 200 persona në ditë

I pyetur për procesin e vaksinimit në Komunën e Gjilanit, Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemajli për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se në këtë komunë po ballafaqohen me mungesë të vaksinave.

“Nuk janë realizuar pritjet që i kemi pasur sepse në momentin që është njoftuar për vaksinim masiv kemi pritur se do të kemi furnizim më të madh. Aktualisht deri më 29 të këtij muaji do të vaksinohen vetëm ata që kanë marrë dozën e parë, dhe një pjesë që janë ftuar paraprakisht, përndryshe nuk ka vaksina, por ky nuk është vaksinim masiv”, ka thënë ai.

Ndërkohë ai ka njoftuar se tashmë numri i personave që vaksinohen në ditë do të zvogëlohen, pasi janë shpenzuar dozat që ishin në dispozicion deri më tash.

“Ditën e hënë janë vaksinuar 400 persona, përndryshe para se të fillonte vaksinimi masiv, në QKMF-të e Gjilanit kemi pasur vaksinime deri në 200-250, por nga sot vetëm do të bjen kjo shifër sepse kemi mungesë të vaksinave”, ka shtuar ai, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

I pyetur nëse këto kritika i kanë adresuar në Ministrinë e Shëndetësisë, ai ka theksuar se nga ky institucion iu është thënë se deri me 29 qershor nuk do të ketë furnizim të ri dhe se “me këto kapacitete duhet vaksinuar vetëm ata që e kanë marrë dozën e parë”.

Numrin e ulët të vaksinimit e ka kritikuar edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. Ai ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk është̈ në gjendje as të sigurojë vaksina dhe as të sigurojë ekipet e saj të vaksinimit që ta  kryejnë detyrën me përgjegjësi.

“Vaksinat e dhuruara donacion pothuajse u shpenzuan,ndërsa ato të “blera” nga Qeveria nuk kanë arritur në Kosovë dhe nuk ka asnjë informacion se kur do të furnizohet Kosova me vaksinat Pfizer.E në anën tjetër ekipet e vaksinimit të Kosovës janë  përzë nga komunat veriore, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk jep asnjë informacion për atë se çfarë u ndodhi mjekëve tonë në veri”, ka thënë ai.

Qeveria: Në fund të qershorit arrin kontingjenti i ri i vaksinave të Pfizer

Ndërkohë kritikave për mungesë të vaksinimit, iu është përgjigjur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Ai në një intervistë për media ka thënë se deri në fund të muajit qershor do të arrijë kontingjenti i ri i vaksinave të cilat janë paraparë në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë farmaceutike “Pfizer”.

“Siç edhe e ka thënë edhe ministri Vitia pritet që brenda këtyre javëve deri në përfundim të këtij maji të ketë një kontingjent të ri të vaksinave të cilat janë në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar me Pfizer për shkak të natyrës së marrëveshjes e për shkak të ndjeshmërisë së marrëveshjes ashtu siç është deklaruar ministri Vitia nuk mund të flasim për shifra konkrete. Mirëpo ajo çfarë mund themi është që deri në fund të këtij muaji do të kemi kontingjentin e parë të vaksinave të cilat janë kontraktuar nga qeveria e Kosovës”, shtoi Kryeziu.

Qeveria e Kosovës tashmë ka një plan nacional sa i përket vaksinimi në masë, shtoi Kryeizu.

Ai tha se deri në fund të vitit, synimi është për të vaksinuar 60% të qytetarëve.

“Tashmë ka një plan nacional sa i përket vaksinimit në masë e të cilit plan po i nënshtrohen edhe qytetarët po të cilin plan po e respektojnë në përpikëri edhe institucionet përgjegjëse. Janë ngritur kapacitet është rritur numri i të vaksinuarve brenda ditës dhe aktualisht kemi më shumë se 110 mijë të vaksinuar dhe ashtu siç kemi premtuar ne presim që deri në fund të vitit në bazë të kapaciteteve që kemi të përmbushet synimi ynë për të vaksinuar 60% të qytetarëve të cilët parashihen që të vaksinohen në kuadër të planit kombëtar

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në mbledhjen e qeverisë më 28 mars, pati thënë se plani i vaksinimit në masë nënkupton administrim e një numër shumë më të madh të vaksinave brenda 1 muaji në Republikën e Kosovës që mendohet mes 300, 400 mijë vaksinave në muaj./Gazeta Enigma.

Related Articles