Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka reaguar pas incidentit që ka ndodhur sot në Uzinën Ushtarake në Gramsh ku tre shtetas rusë tentuan të futeshin brenda dhe u përleshen me dy ushtarë shqiptarë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, shtetasit kanë qenë me pasaporta ruse dhe ukrainase.
Ushtarët e lënduar po marrin kujdesin e tyre në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe gjendja e tyre përshkruhet si e stabilizuar.
Në anën tjetër shtetasit e huaj janë ndaluar dhe po vazhdojnë hetimet ndaj tyre.
Ky është njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:
Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh: tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj, janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Gjendja shëndetësore e dy ushtarakëve shqiptare është e stabilizuar.