Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për sektorin e bletarisë përmes subvencioneve dhe granteve arrin në 8.5 milionë euro.
Kjo mbështetje është bërë e ditur sot nga Ministri i BPZhR-së, Faton Peci, me rastin e shënimit të “Ditës Botërore e Bletës”, me ç’rast ka vizituar bletarin Bajram Bajrami nga fshati Berivojc i Komunës së Kamenicës, i cili posedon 700 koloni të bletëve, në rreth 400 koshere, të shpërndara në 13 parqe të ndryshme.
Gjatë vizitës në veprimtarinë e këtij bletari, Peci ka parë nga afër se në këtë fermë plotësohet zinxhiri i vlerës nga prodhimi dhe përpunimi i produkteve dhe nënprodukteve të mjaltës deri edhe tek përpunimi i helmit të bletës si një ndër produktet kyçe për përdorim në mjekësi.
“Bletarinë si një ndër sektorët më me potencial në vend po e mbështesim përmes subvencioneve dhe granteve, duke ndikuar në këtë mënyrë zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të kësaj veprimtarie bujqësore”, tha Peci.
Po ashtu, ai ndër tjerash thekoi se ashtu siç bletët punojnë në grup dhe për të mirën e përgjithshme të kolonive, ashtu edhe ne si shoqëri duhet të ndjekim shembullin e tyre drejt krijimit të politikave zhvillimore në favor të fermerëve tanë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.