Ministrja e punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, e ka quajtur “Slloba i bogël”, e ky i fundit ka thënë se është ndier i fyer që ajo nuk e ka cilësuar si Sllobodan Millosheviqi i vërtetë.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha, duke publikuar një video nga intervista e Ivica Daçiqit në televizionin publik serb, për mes një postimi në Twitter, ka shkruar se “në intervistën e tij të fundit, ministri i Jashtëm serb shpreh keqardhjen që ai nuk është një Sllobodan Millosheviq i duhur, por vetëm ‘Slloba i vogël’. Me një buzëqeshje për të”.
Në videon e publikuar, Daçiq thotë se “ajo [Gërvalla” mendon se me këtë më fyen. A dini me çfarë më fyen, me atë që tha ‘jam i vogël’”.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, javën që shkoi është përplasur ashpër me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, gjatë debatit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gërvalla iu drejtua Daçiqit me keqardhje, pasi tha se për të është e vështirë ta pranojë se e kanë humbur Kosovën në 99-ën, ndaj edhe përdor një retorikë nënçmuese ndaj Kosovës.
“Ju me deklarimet tuaja vetëm sa e treguat që pse njerëzit në Serbi ju kanë quajtur ‘Slloba i vogël’, ‘Sllobodani i vogël’. E kuptoj që jeni i zemëruar dhe këtë gjuhë të juajen e njoh që moti. Ju duhet t’u tregoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në vitin 1999…”, u shpreh Gërvalla.