Kuvendi i Kosovës ka votuar pro ratifikimit të dy marrëveshje ndërkombëtare.
Në mesin e projektligjeve që u votua është ai për marrëveshje bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore. Për këtë projektligj pro votuan 84 deputetë, teksa asnjë nuk votoi kundër dhe as nuk abstenoi.
Në seancën e sotme të Kuvendit, u votua edhe projektligji nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”. Për këtë marrëveshje votuan për 84 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë nuk abstenoi.
Votimi i këtyre marrëveshjeve është mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, komuniteti multietnik dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkohë subjektet politike nuk gjetën pajtueshmëri për të votuar për dy marrëveshje tjera ndërkombëtare.
Ato janë:
Projektligjit nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.
Votimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+).