Miratohet projektligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, kostoja 253 milionë euro

Miratohet projektligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, kostoja 253 milionë euro

Deputetët e Kuvendit kanë miratuar në lexim të parë  me 86 vota për Projektligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”, ngjarje që pritet të mbahet për herë të parë në Kosovë.

Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka prezantuar në Kuvend Projektligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”, ngjarje që pritet të mbahet për herë të parë në Kosovë.

Gjatë prezantimit, Gashani theksoi se Kosova do të jetë për herë të parë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, të cilat i cilësoi si ngjarjen më të madhe sportive të organizuar ndonjëherë në vend, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai tha se projektligji është me interes të lartë publik dhe kombëtar, pasi sipas tij forcon infrastrukturën sportive, ndikon në zhvillimin ekonomik dhe e pozicionon Kosovën në hartën ndërkombëtare si vend organizator i ngjarjeve të mëdha sportive.

Sipas ministrit, ligji përcakton rregullat, procedurat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore dhe akterëve të tjerë në lidhje me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Ai shtoi se përmes këtij ligji Qeveria do të mundësojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e kësaj ngjarjeje, me një shumë që pritet të jetë të paktën 253 milionë euro.

Projektligji, sipas tij, rregullon edhe rolin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe komunave të tjera që do të përfshihen në përmbushjen e obligimeve për organizimin e lojërave.

Gashani theksoi se, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij organizimi, është e domosdoshme krijimi i mekanizmave adekuatë institucionalë për të siguruar realizimin me sukses të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Related Articles