Një ngjarje mjaft e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Tiranë, në zonën e Gjykatës së Tiranës, afër rrugës Myslym Shyri.
Një vajzë e re, doli e mbytur në gjak në hyrjen e një Pallati duke kërkuar ndihmën e banorëve që ndodheshin aty.
E reja dërgohet me urgjencë në spital por humbet jetën sapo mbërrin.
Vetëm pas pak çastesh një i ri hidhet nga kati i tetë i të njëjtës ndërtesë dhe humb jetën në vend. Ai e kishte ndjekur për pak kate vajzën në zbritjen e saj pastaj ishte kthyer në apartament dhe ishte hedhur nga ballkoni i katit të tetë…
Tronditja që dha ngjarja ishte e madhe. Çfarë kishte ndodhur në atë pallat të rastësishëm ku dy të dashuruarit kishin vendosur të takoheshin për herë të fundit në jetën e tyre të shkurtër?
Sipas informacioneve të mëvonshme të dala në media dhe duke iu referuar edhe të dhënave nga rrjetet sociale të djalit, ngjarja e përmbledhur dhe ajo çka dihet deri tani, është kjo:
Klinton Pira, një i ri 26 vjeçar nga Dibra, me banim në Tiranë, kishte shkuar në Angli para disa vitesh në mënyrë klandestine. Atje, ai njihet me të renë nga Gana me emrin Jawesackie Jaboah, 31 vjeçe, me të cilën krijon një lidhje dashurie ku nuk mungonin shprehjet publike të dashurisë në rrjetet sociale përmes dedikimeve plot pasion. Vajza ishte me shtetësi francize.
Klintoni dhe Jeboah kishin disa kohë që jetonin larg njëri tjetrit, ajo në Francë ndërsa djali në Tiranë. Nuk dihen arsyet pse Klintoni ishte në Tiranë dhe jo në Angli por thuhet që ai kishte mbi një muaj e gjysmë që jetonte këtu, në një apartament në Don Bosko.
Vajza nga Gana udhëtoi dje nga Franca për të takuar të dashurin e saj. Për këtë qëllim, ajo kishte prenotuar në Tiranë edhe një apartament me qera ditore në një zonë preferenciale të qytetit. Ajo kishte mbërritur në Tiranë vetëm pak orë përpara ngjarjes së kobshme.
Referuar burimeve të ABC Neës vajza ishte pritur në Aeroportin e Rinasit nga i dashuri i saj, Klintoni dhe së bashku ishin drejtuar drejt banesës së prenotuar në Tiranë.
Ngjarja e rrethuar me mister ngjan me një krim pasioni. Nuk dihet se çfarë ndodhi në ato pak orë që mbeten mes mbërritjes në apartament të çiftit dhe ngjarjes së kobshme, ajo do të mbetet mister që e morën me vete të vdekurit.