Udhëheqësit austriakë kanë bërë thirrje për unitet kombëtar pas një mjeke që u përball me kërcënime për vdekje nga aktivistët kundër vaksinimit dhe teoricienët e konspiracionit të pandemisë së coronavirusit, i ka dhënë fund jetës.
“Le t’i japim fund këtij kërcënimi dhe nxitjeje frike. Urrejtja dhe intoleranca nuk kanë vend në Austrinë tonë”, tha presidenti Alexander Van der Bellen, që cilësoi Lisa-Maria Kellermayr si një mjeke që qëndronte për shërimin e njerëzve, mbrojtjen e tyre nga sëmundjet dhe që mori një qasje të kujdesshme ndaj pandemisë.
“Por disa njerëz janë tërbuar nga kjo. Dhe këta njerëz e frikësuan atë, e kërcënuan, fillimisht në internet dhe më pas edhe personalisht, drejtpërdrejt në praktikën e saj”.
Trupi i doktoreshës – e cila kishte dhënë shpesh intervista në media për luftimin e pandemisë së coronavirusit dhe promovimin e vaksinimeve – u gjet në zyrën e saj të premten.
Prokurorët thuhet se kishin gjetur një shënim vetëvrasjeje dhe nuk po planifikonin një autopsi.
Austria muajin e kaluar hoqi dorë nga planet për të futur vaksinimin e detyrueshëm ndaj COVID-19 për të rriturit, duke thënë se nuk kishte gjasa që masa të rriste një nga normat më të ulëta të vaksinimit në Evropën Perëndimore.
Dhjetëra mijëra njerëz kishin marshuar në protesta të rregullta kundër bllokimeve vitin e kaluar dhe planeve për t’i bërë të detyrueshme vaksinimet, duke theksuar një ndarje sociale mbi masat e shëndetit publik që kanë përjetuar shumë vende.
Por vdekja e mjekes — për të cilën shoqata e mjekëve austriakë tha se pasqyronte një prirje më të gjerë kërcënimesh kundër personelit mjekësor — tronditi vendin.
“Urrejtja kundër njerëzve është e pafalshme. Kjo urrejtje duhet të ndalet më në fund”, tha ministri i Shëndetësisë, Johannes Rauch.