Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin jo rezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, Christian Grønbech-Jensen.
Kurti ka thënë se gjatë takimit kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ai ka shprehur mirënjohje ndaj Danimarkës dhe ka kërkuar mbështetje për avancimin e statusit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas Kurtit, Kosova mbetet e përkushtuar edhe ndaj synimit strategjik për anëtarësim në NATO.
Gjatë takimit, Kurti e ka falënderuar ambasadorin Grønbech-Jensen për shërbimin dhe kontributin e tij. Ndërsa, ambasadori e ka uruar Kurtin për Qeverinë dhe mandatin e ri.
Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, energjisë, arsimit dhe teknologjisë, si dhe për mundësitë e rritjes së investimeve daneze në Kosovë.

