Mori pjesë në takim me Vuçiqin, suspendohet kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Mori pjesë në takim me Vuçiqin, suspendohet kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka marrë vendim që ta suspendoj nga puna kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate nga RGJK, derisa thuhet se vendimi është marrë deri në një vendim të radhës.

Suspendimi i Stevanoviq vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), gjatë të mërkurës, kishte reaguar pas raportimeve se Stevanoviq,  ka marrë pjesë në takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq”, thuhej në komunikatën e KGJK-së.

Ndryshe, ky reagim i KGJK-së, erdhi pasi Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, i bëri thirrje KGJK-së, që të ndërmarrë masa në raport me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stefanoviq.

Sipas nenit 7, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përcaktohet që nëse vërtetohet se gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje disiplinore, ndaj tyre mund të shqiptohet këto masa disiplinore: Vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit, transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët apo masa më e rëndë, propozim për shkarkim. /Gazeta Enigma/.

Related Articles