Morina dhe Sermaxhaj tregojnë sesi duhet të luajë Kosova ndaj Qipros

Morina dhe Sermaxhaj tregojnë sesi duhet të luajë Kosova ndaj Qipros

Humbja e Kosovë nga Irlanda e Veriut me rezultat 2-1, shkaktoi tronditje në botën e sportit, pasi “Dardanët” deri në fund të takimit ishin duke udhëhequr me golin e Vedat Muriqit.

Pas kësaj humbje, Kosova pozicionohet në vendin e dytë me 6 pikë, një pikë më shumë se Irlanda e Veriut dhe Qipro.

Ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit 2 të Ligës C, Kosova e luan të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Qipros.

“Dardanëve” i mjafton barazimi për të mbetur në këtë ligë, në rast humbje do të binte një ligë më poshtë, gjë e cila nuk i shkon në favor Kosovës.

Kosovës i duhet fitorja për t’a ruajtur pozitën e dytë në grup, pasi në takimin tjetër Greqia e pret në shtëpi Irlandën e Veriut.

SI DUHET TË LUAJË KOSOVA NDAJ QIPROS?

Analistët dhe trajnerët e futbollit, Arbnor Morina dhe Genc Sermaxhaj në një bisedë për Gazetën Enigma kanë folur për ndeshjen e nesërme mes Kosovës dhe Qipros.

Morina thotë se humbja ndaj Irlandës së Veriut është pasqyrim i problemeve që i ka Kosova në fazën defanzive.

“Humbja në momentet e fundit ndaj Irlandës së Veriut nuk i ka ardhë mirë askujt, sepse është një shenjë që kemi probleme në fazën defanzive edhe kemi probleme në momentet kyçe për me menaxhu lojën. Djemtë kanë treguar një lojë të mirë deri në ato momente”, thotë Arbnor Morina.

Kosova duhet të hyjë në ndeshje vetëm për fitore, jo për barazim, kështu vlerëson trajneri i njohur kosovar, Abrnor Morina.

“Ne duhet me qenë optimist me lojën me Qipron, edhe pse neve na nevojitet vetëm një pikë, unë mendoj që Kosova nuk mundet me lujt vetëm për barazim, duhet të hyj për fitore, por për me lujt mençur. Kosova nuk guxon me rreziku me ra një kategori më poshtë, po duhet me bo ç’mos për me e fitu këtë ndeshje edhe me mbet prapë në grupin ku kemi qenë”, thotë Arbnor Morina.

Arbnor Morina thotë se Kosova duhet të jetë e koncentruar maksimalisht ndaj Qipros, pasi sipas tij është një kombëtare që po iu shkakton probleme kombëtarëve të forta.

“Po dëgjoj që kemi shumë eufori që duhet me e mposht Qipron me gol diferencë më të madhe etj, por mos të harrojmë që Qiproja po luan mirë në vitet e fundit, plus tasht e mposhti Greqinë. Ne duhet me qenë me dy këmbë në tokë me e lyp rezultatin përmes lojës, mirëpo koncentrimi duhet me qenë më shumë se maksimal. Problemet që po na ndodhin është për shkak të moskoncentrimit edhe shpresoj që Rrahmani të kthehet në ekip me na dhënë stabilitetin që po na nevojitet më së shumti”, thotë Arbnor Morina i cili pret shumë nga rikthimi i kapitenit Amir Rrahmanit.

“Duhet me qenë me këmbë në tokë, me e respektu Qipron edhe nëpër mes lojës së rrjedhshme dhe daljes së shpejtë në bazë të sulmit me e dënu kundërshtarin”, thotë Morina.

Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj pret fitore të vështirë ndaj Qipros.

“Ndeshja e nesërme është vendimtare për Kosovën që në rast fitore mbetet në po të njejtën ligë, përndryshe me humbje mund të bie nga liga dhe kjo situatë e bën lojën më të rëndësishme. Kosova nuk mundoj se ka një formë të mirë edhe për nga mënyra se si luan e as për nga forma e lojtarëve. Por ndaj Qipros mendoj se ndeshjen do t’a fitojmë por me një mund të madh sepse edhe ata kërkojnë fitore për mbetjen në këtë ligë”, vlerëson Genc Sermaxhaj.

Sermaxhaj kërkon ndryshime ndaj Qipros duke i lënë në bankën rezërvë futbollistët që nuk treguan formë të mirë.

“Kosova duhet së pari të mendoj mirë për ekipin startues. Lojtarët që ndaj Irlandës nuk ishin aspak në nivel, nuk duhet të startojnë ndaj Qipros. gjithashtu duhet të jetë më e vëmendshme para portës së tij dhe të kundërshtarit. Dhe nga fillimi duhet të kërkoj golin”, thotë ai.

Genc Sermaxhaj ka disa këshilla për trajnerin Giresse se si duhet të luajë ndaj Qipros.

“Ka shumë gabime që nuk duhet ti përsëris. Shumë gabime elementare, të mos luaj ngadalë, të jetë më e vigjilente para portave, të ketë më shumë angazhim nga lojtarët e të tilla si këto që e bëjnë lojën më të dobët e me gabime”, thotë ai.

Kosovë – Qipro luhet të mërkurën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./GAZETA ENIGMA/

Related Articles