“Mos ia fut kot, po i mashtroni deputetët”, Hoti i reagon Muratit për rishikimin e buxhetit

“Mos ia fut kot, po i mashtroni deputetët”, Hoti i reagon Muratit për rishikimin e buxhetit

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me 6 vota për, 2 kundër ka miratuar përmbajtjen tekstuale të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Me këtë rishikim është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.

Anëtari i Komisionit nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar rishikim të nenit 15 të këtij projektligji, pasi sipas tij nuk është e nevojshme kjo kredi.

Për këtë ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili theksoi se kjo kërkesë e deputetit Hoti është për çështje politike.

Për këtë cilësim politik nga ministri Murati, ish-kryeministri Hoti ia ktheu shkurt: “Mos ia fut kot, po i mashtroni deputetët”.

Në seancën e fundit parlamentare me shumicë votash Kuvendi ka miratuar mocionin e propozuar nga VV-ja që Rishikimi i buxhetit për vitin 2021 të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Related Articles