Në vitin 2019, E.L (emër i njohur për redaksinë) nga Gjilani ia kishte shitur një pronë biznesmenit Naim Kamberit nga Gjilani me vlerë mbi 160 mijë euro.
Por, blerësi Kamberi sipas shitesit, i ka mbetur borxh mbi 25 mijë euro, për çka kjo familje ka bërë bërë kallëzim penal ndaj noterit Islam Azemi nga Gjilani, pasi konsiderojnë që ky i fundit e ka mashtruar shitësin E.L, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Një rast gjyqësor, që fillon me shitblerjen e një paluajtshmërie tek noteri Islam Azemi në Gjilan, duke vënë palën në lajthim, me mashtrim në mënyrën e pagesave, e duke vazhduar me keqpërdorim të detyrës zyrtare të noterit Azemi në bashkëpunim me palën blerëse, rast që vazhdon me hapjen e të gjitha procedurave gjyqësore të mundshme për të realizuar objektivin”, thotë avokatja e E.L, Zanita Leka.
Sipas saj, “pas kuptimit të vënies nën lajthim, ku pala blerëse edhe me mesazhe të shkruara në telefon, e që janë provë e pakontestueshme, deklarohet se borxhin e ka por nuk e paguan për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me lëndën, dhe po ashtu kërcënon, menjëhere pala shitëse fillon procedurë përmbarimore të realizimit të borxhit sipas dokumentit të besueshëm të përmbarueshëm Kontrata dhe Aneks Kontrata”.
Ajo thotë se procedura përmbarimore filluar me datën 04.08.2020, por “nuk ka ende një vendim nga Gjykata Themelore në Gjilan”.
Ndërkaq më datën 26.10.2020, ushtrohet kallëzim penal ndaj noterit në Prokurorinë Themelore në Gjilan, derisa fillimisht, prokuror i rastit ishte prokurori Arben Kadriu në Prokurorinë Themelore në Gjilan, por është bërë kërkesa për përjashtimin e tij për arsye të ekzistimit të konfliktit të interesit me palën shitëse.
Me pas, ishte caktuar prokuror Agron Uka, por edhe për këtë të fundit, familja L. kishte kërkuar që përjashtohet pasi kishte raport të afërt me noterin Azemi, por që Prokuroria e Apelit vendosi për refuzim si të pabazë të kësaj kërkese, me arsyetimin se “nuk ka lidhje gjaku Prokurori dhe i pandehur”.
Por, ndryshe vendosi Kyrprokurori i Shtetit në vitin 2021, kur vendosi ta përjashtojë nga kryer rast prokurorin Uka dhe pas kësaj, në mënyrë jozyrtare, pala e dëmtuar është njoftuar nga prokurori Uka që lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
“Përderisa ende në pritje të fillimit të shqyrtimit në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ndërkohë pala blerëse në mënyrë të kundërligjshme ka hyrë në pronën kontestuese, e cila ende është çështje e pazgjidhur dhe për të njejten ende nuk ka një vendim final”.
“E në atë pronë nuk mund të ketë qasje as shitësi dhe as blerësi përderisa është ende kjo gjendje, i njejti hyn dhe dëmton pronën në atë mënyrë që e then derën hyrëse, i ka hequr të gjitha dyert e dhomave dhe rrethojat e terasave në këtë mënyrë duke bërë shkelje të legjslacionit, hyrje me dhunë dhe dëmtim i pasurisë së huaj përderisa është ende kontestuese”, ka theksuar Leka.
Përfshirja e hetuesit të Policisë dhe kërkesa e tij për tërheqje nga lënda
Avokatja Leka, ka potencuar se hetuesi i Krimeve Ekonomike Hajrush Halili, e ka thirrur për të pirë kafe, duke ti thënë “ kjo lëndë nuk kryhet me sukses, tërhiqu se nuk ka zgjidhje”.
Ajo thotë se hetuesi duke prekur armën me dorë dhe duke i thënë se a “po e sheh këtë armë, ku dua unë mund ta vras kë të dua dhe nuk jap përgjegjësi sepse unë jam person i rëndësishëm, jam gjithmonë në rrezik, jam i vetmi me mbi 100 trajnime nga CIA. Mua s`mundet me më mbyt askush.”
Sipas Lekës, hetuesi menjëherë pas këtyre deklarimeve kërkon të kenë lidhje të fshehtë, marrëdhënie seksuale.
“I njëjti ka vazhduar edhe me mesazhe duke kërkuar takime, unë kam refuzuar, por ai ka thënë te unë s`ka jo, veç po edhe ani, derisa rasti është paraqitur në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Gazeta “Enigma” ka pyetur Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), se deri kanë shkuar hetimet për rastin në fjalë, por nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigjje.
“Ende kemi kohë të shpresojmë që në sistemin tonë të drejtësisë ka profesionalizëm dhe mospërulje e institucionit para milionave të cilët kanë kryer arsimimin me djersë dhe mund e që punojnë me faqe të bardhë”, ka përfunduar Leka.
“Enigma” ka provuar të flas edhe me Naim Kamberin, megjithatë kontakti me të ka qenë i pamundur.
Por, Kamberi përmes SMS-ve i kishte thënë shitësit se borxhin nuk do ua paguajë.
“Mos më shkruaj më hiç, se unë me ty s’kam bërë marrëveshje”, kishte shkruar Kamberi.
Tani rasti ka kaluar në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, konkretisht te prokurori Rasim Maloku./Gazeta Enigma.