Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, po e konsideron si të papranueshëm dhe skandaloz vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve për muajin shtator.
Tahiri thotë se me ndalimin e pagave të shtatorit, qeveria ka shkelur dinjitetin e mësimdhënësve.
“E padurueshme! Skandaloze! Me ndalimin e pagave të shtatorit, qeveria ka shkelur dinjitetin e mësimdhënësve. Poashtu, ndalimi i pagave është cenim i drejtpërdrejtë i mirëqenies dhe ekonomive të familjeve të mijëra mësimdhënësve”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tutje ai tha se t’u ndalen pagat mësimdhënësve vetëm përse kanë kërkuar një të drejtë minimale është e pafalshme.
“Të premten e kemi ftuar për interpelancë ministrin Murati, por vazhdimi i kësaj gjendjeje edhe për një orë është vazhdim i turpit nga kjo qeveri!
Në prag të dimrit t’u ndalen pagat mësimdhënësve vetëm se kanë kërkuar një të drejtë minimale është e pafalshme”, përfundoi ai.