Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se stina e verës astronomike fillon sot në orën 11:13.
IHK njofton se java e parë e verës do të fillojë me kushte të qëndrueshme meteorologjike dhe kjo si rrjedhojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika e Veriut e që do të ndikojnë dukshëm në rritjen e temperaturave maksimale.
“Do të ketë shumë orë me diell dhe vranësira të pakta, përjashtuar ditën e marte ku vranësirat do të jenë më të dendura dhe do të krijohen kushte për reshje shiu nëpër disa vende. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27- 35 gradë Celsius”, bëhet e ditur në njoftim.
Indeksi UV vazhdon të mbetet i lartë, prandaj preferohet që mos të jemi në kontakt të drejtpërdrejt me rrezet e diellit nga ora 10-17.
Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë nga drejtimi i veriut dhe veriperëndimit.