Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar se Gjykata e Lartë e Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për shtetasin e Kosovës, Lulzim Halili.
Halili u arrestua më 22 korrik nga autoritetet serbe dhe, sipas Prokurorisë së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ai akuzohet për “organizim dhe nxitje të kryerjes së krimeve të luftës dhe gjenocidit”, bazuar në nenin 145, paragrafi 2 dhe nenin 1 të Kodit Penal të ish-RSFJ-së.
MPJD ka bërë të ditur se, pas konfirmimit të nisjes së procedurave penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të dorëzojë menjëherë kërkesë zyrtare pranë gjykatës për ta vizituar Halilin në Qendrën e Paraburgimit ku po mbahet.
“Duke qenë se tashmë është konfirmuar se ndaj z. Halili është iniciuar procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë menjëherë kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Lartë të Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, për ta vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit të kësaj gjykate, ku po mbahet aktualisht.”, thuhet në njoftim.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastin dhe do të mbajë të informuar opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm.”, thuhet mes të tjerash.