MPJD i bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi

MPJD i bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me rritjen e rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe.

Në një komunikatë për media, MPJD ka bërë thirrje të qartë për shmangien e kalimit përmes Serbisë, sidomos për qytetarët që planifikojnë udhëtime drejt Kosovës nga mërgata.

Ministria i ka inkurajuar qytetarët që të përdorin rrugë dhe pika kufitare alternative për të garantuar sigurinë e tyre.

MPJD përmend ndalimin e ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, A.Spahiu, në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë.

Ky rast, sipas MPJD-së, është dëshmi e qartë e qasjes destruktive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve serbe.

“Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke e ndjekur nga afër situatën dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të adresimit të këtyre shkeljeve sistematike dhe garantimit të të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Related Articles