Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka kërkuar nga Serbia konfirmimin e arrestimit të një shtetasi kosovar, pas deklarimit të ministrit të Brendshëm serb Ivica Daçiq se është arrestuar një shtetas kosovar në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari, nën akuzat për gjoja “krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999”.
“Lidhur me këto raste Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka reaguar menjëherë duke i dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të konfirmuar vërtetësinë e rastit të arrestimit dhe për të siguruar informacionet relevante, përfshirë identitetin e plotë të personit të arrestuar, rrethanat e arrestit dhe lokacionin aktual ku ai po mbahet”, tha Ministria e Jashtme në njoftim.
MPJD po ashtu tha se janë njoftuar misionet diplomatike të shteteve më të mëdha në Kosovë (QUINT).
“Për këtë çështje janë njoftuar edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Kosovë dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian”, thuhet tutje.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke ndjekur nga afër këtë rast dhe do t’iu mbajmë të informuar rreth detajeve tjera”, përfundoi MPJD.