Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të hënën ka dalë me një njoftim për të gjithë bashkatdhetarët për kushtet që lidhen me udhëtimin drejt Kosovës me dokumente me afat të skaduar, përmes transportit rrugor, raporton Gazeta Enigma.
Nga MPJD thonë se disa shtete gjatë tranzitit kërkojnë dokumente të vlefshme udhëtimi, pa përjashtim. Udhëtimi me dokumente të skaduara nuk lejohet nëpër territoret e këtyre shteteve, pavarësisht nga praktikat e vendit ku nis udhëtimi.
“Duke iu referuar rasteve të fundit të paraqitura gjatë kalimeve tranzit, veçanërisht nëpër territorin e Italisë, theksojmë nevojën që qytetarët të verifikojnë paraprakisht kërkesat për dokumentacion për secilin vend që kalojnë gjatë udhëtimit të tyre. Lusim qytetarët që të planifikojnë udhëtimet e tyre me kujdes dhe të informohen për kushtet e kalimit nëpër secilin shtet përmes të cilit udhëtojnë. Në raste pasigurie, ju ftojmë të kontaktoni misionet tona diplomatike dhe konsullore për udhëzime shtesë”, thuhet më tutje në njoftim. / Gazeta Enigma.