MSH: Në Kosovë administrohen mbi 27 mijë doza përforcuese e mbi 2,000 doza të treta

MSH: Në Kosovë administrohen mbi 27 mijë doza përforcuese e mbi 2,000 doza të treta

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, në Kosovë kanë nisur të jepet doza e tretë dhe ajo përforcuese e vaksinës kundër COVID-19.

Që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, me dozë përforcuese janë vaksinuar 27,183 persona, ndërkaq me dozë të tretë, 2,147 persona.

Ndërkohë, numri i dozave të administruara që nga fillimi i procesit të vaksinimit në fund të marsit të vitit të kaluar është 1,708,466.

Rastet ditore me COVID-19 në Kosovë po shënojnë rritje dita-ditës gjatë muajit janar.

Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 585 raste pozitive me COVID-19, nga testimi i 6,589 të dyshuarve për koronavirus.

Ndërkaq, numri i rasteve aktive është 3,339.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka bërë thirrje të premten që qytetarët të cilët testohen për COVID-19, të izolohen nëpër shtëpitë apo banesat e tyre, deri në marrjen e rezultatit të testit.

IKSHPK-ja po ashtu ka thënë se ata që rezultojnë pozitiv në testim, e kanë të ndaluar që personalisht të shkojnë në IKSHPK për ta kërkuar rezultatin, deri në 10 ditë pas ditës së testimit. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles