Pas shumë vende të botës edhe në Kosovë , shumë shpejtë pritet të mirret vendimi për dozën e tretë dhe atë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Marrja e vendimit është çështje ditësh, pasi që Komiteti për imunizimin e popullatës kundër COVID-19 e ka trajtuar çështjen e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë”, konfirmoi për Gazetën “Enigma” Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
Të tilla doza kanë nisur të jepen në shumë vende të botës, pas rekomandimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe rregullatorë të tjerë shëndetësorë.
E këtë gjë, Ministrisë së shëndetësisë ia kishte rekomanduar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës qysh në fillim të muajit shtator.
Sipas OBSh-së, doza përforcuese është ajo që i jepet një personi plotësisht të vaksinuar, për t’i ndihmuar në përforcimin e mbrojtjes që mund t’i ketë rënë me kalimin e kohës.
Në lidhje me këtë çështje për Gazetën “Enigma”, është prononcuar infektologu Hamdi Ramadani, i cili ka deklaruar se është për t`u përshëndetur vendimi për marrjen e dozës së tretë në Kosovë.
“Një dozë nuk i mbronë qytetarët, kurse dy doza mund të themi se është situatë pak më e pëlqyshme sepse në këto raste, infeksioni mund të jetë më i vogël. Ndërsa doza e tretë është një vendim që duhet t`a përshëndesim, por kjo mendoj që duhet të ndodh kur ne të arrijmë një përqindje më të madhe në total të qytetarëve që janë të planifikuar për vaksinim antiCOVID, e që ne jemi shumë larg kësaj”, ka thënë ai.
I pyetur se cilat kategori preferohen që të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës kundë koronavirusit, Ramadani u shpreh se prioritet për këtë dozë janë personeli shëndetësor, pastaj grupi i te moshuarve mbi 65 ose 70 vjeç.
“Pa dyshim marrja e vaksinës u takon personelit shëndetësor, ata të cilët janë çdo ditë duke u përballë me këtë sëmundje, pastaj personave të moshuar që janë mbi 65 vjeç”, ka theksuar ai.
Ramadani gjithashtu është shprehur se duke marrë parasysh që situata në gjithë botën edhe në rajon është pothuajse e njejtë, edhe Kosova mund të përballet me rritje të të infekuarëve nga COVID-19.
“Në gjithë botën egziston kriza pandemike me koronavirus, andaj mendoj që edhe në vendin tonë mund të ndodhë një valë re, dhe ka gjasa reale që mund të shpërthej një numër i infeksioneve në masë të madhe, prandaj është e rëndësishme që të mirret edhe doza e tretë”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, vendi ynë, Kosova, ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 12 nëntor më shumë se 747.723 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Kosova është e pajisur me vaksinat, Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, që të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.591.886 doza të vaksinës, ndërsa në total numri i rasteve aktive është 427. /Gazeta “Enigma”/