“Mu kanë lodhë mashqit”, ishte përgjigja e Ramush Haradinajt për Albin Kurtin, në kohën kur u prish koalicioni VLAN.
Kështu tha kryeministri, Albin Kurti në debatin parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, derisa u është përgjigjur kritikave të opozitës ku tha se të njëjtit kanë nostalgji për kohën e ambasadorit, Richard Grenell.
Ai ka kujtuar edhe kohën kur ka bashkëpunuar me disa nga partitë opozitare, ku tha se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i kishte thënë se po e rrënon VLAN-in për shkak se “mu kanë lodhë mashqit”.
“Le të mos harrojmë që ne njihemi kaherë. Unë e mbajë mend mirë edhe bashkëpunimin tonë. Bashkëpunimi i parë ka qenë në kohën e VLAN-it. Ka qenë vjeshta e vitit 2014. Në atë bashkëpunim në kuadër të VLAN-it, kolapsoi bashkëpunimi sepse deputeti Haradinaj dhe ish-kryetari i LDK-së po bënin gara se kush po shkonte përpara me PDK-në edhe u prish VLAN-i. E mbajë mend mirë takimin me Haradinajn kur i kam thënë ‘Pse po shkon me PDK-në, pse po na e rrënon VLAN-in’. Se harrojë kurrë përgjigjen e tij. Përgjigja e tij ka qenë kjo ‘mu kanë lodhë mashqit”, ka thënë ai.
Ai tha se kritikat e opozitës për qeverinë që ai udhëheq, vijnë nga nostalgjia për Richard Grenell.
“Më lejoni të shpjegojë se ku e ka hallin deputeti Haradinaj. Ai thotë gazi amerikan, pastaj pse s’po e ndërpreni dialogun e kështu me radhë. Unë jam i bindur që edhe kërkesat që të shkohet në mënyrë përfundimtare në Bruksel dhe të kthehemi në mënyrë demonstratave në Prishtinë edhe ato për gazin e pashfrytëzuar që e kemi shpjeguar pa numër herë këtu, që është keqkuptim i madh vijnë nga një lloj nostalgjie për Grenellin. Kjo është thelbi. Kurti 1 e pati Grenell 1, e Kurti 2 s’po ka Grenell 2. Krejt këtu e keni hallin, që në Kurtin 2 nuk po prodhohet një Grenell 2, e ju po doni që unë të dalë palë jo konstruktive në Bruksel, të gjykohet Kosova ose të etiketohemi sikur anti-amerikan. Të prodhohet Grenell 2 kundër Kurti 2”, deklaroi ai.
Për këtë ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Sikurse ju që po dëshironi me i gjetur fajet, prej atij që mu kanë lodhur meshkujt. Po, mu kanë lodh meshkujt në atë kohë, pasi s’kam pas meshkujt me vdek për pushtet. Ky mashtruesi ka dashur me i shti ushtarët e Ramushit, të UÇK-së të Dukagjinit me luftu me policinë tonë në ndërtesë të Qeverisë, por i kam thënë jo dhe i kemi nda rrugët prej asaj dite”, është përgjigjur Haradinaj.